RRETH PROJEKTIT

 

Të rinjtë janë ndër grupet më të paavantazhuara në tregun e punës, jo vetëm në Shqipëri po kudo tjetër në botë. Informimi, orientimi dhe integrimi i të rinjve në tregun e punës janë thelbësore në një shoqëri kapitaliste që zhvillohet me hapa të shpejtë. Të rinjtë duhet të aftësohen dhe përgatiten për të ardhmen e tyre, në mënyrë që të sigurojnë një integrim të shpejtë e të lehtë në tregun e punës, në bazë të aftësive dhe dëshirave të tyre, por edhe të kërkesave të tregut të punës.

Në këtë kuadër, Qendra Europiane së bashku me Zyrën Gjermane të Bashkëpunimit  Ndërkombëtar (GIZ GmbH), janë duke zbatuar projektin “Integrimi drejt tregut të punës – Unë mundem!”. Qëllimi i kësaj nisme është dhënia e kontributit në integrimin aktiv të të rinjve në sistemin arsimor dhe në tregun e punës në Shqipëri, duke ulur kështu edhe nivelin e migracionit të parregullt të shtetasve shqiptarë.

Ndër aktivitete të tjera të projektit, Qendra ka dizajnuar dhe lançuar platformën e trajnimit online “unemundem.al”. Kjo platformë përmban 3 module trajnimi në formën e videove interaktive, mbi temat: “Të rinjtë dhe tregu i punës”, “Të zgjedhësh të ardhmen” dhe “Si të kemi sukses në tregun e punës”. Të gjithë përdoruesit e  platformës mund të regjistrohen dhe të ndjekin 3 modulet e trajnimit, në përfundim të të cilëve do të pajisen me një certifikatë vlerësimi.

QENDRA EUROPIANE

 

Qendra Europiane është një organizatë jo fitimprurëse e pavarur, e themeluar në qershor 1999, e cila e shtrin aktivitetin e saj në të gjithë Shqipërinë. Misioni i Qendrës është të kontribuojë në konsolidimin e shtetit të së drejtës, me një fokus të veçantë në standardet e të drejtave të njeriut, në kuadër të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Qendra zhvillon aktivitetin e saj në 4 shtylla kryesore: Të drejtat e njeriut, Integrimi Europian, Shteti i së drejtës, si dhe Demokracia e qeverisja e mirë.

Qendra ka në fokus të saj të rinjtë dhe rritjen e kapaciteteve të tyre në fusha të ndryshme të jetës, si dhe kujdeset të përfshijë gjeografikisht të gjithë qytetet e njësitë administrative të Shqipërisë.

ZYRA GJERMANE PËR BASHKËPUNIM NDËRKOMBËTAR

 

GIZ GmbH është një organizatë që punon në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillim të qendrueshëm dhe arsim e edukim. GIZ GmbH ka mbi 50 vite eksperiencë në një sërë fushash, duke përfshirë zhvillimin ekonomik dhe promovimin e punësimit, energjinë dhe mjedisin, paqen dhe sigurinë. Mbështetësi kryesor i GIZ është Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim.

Programi “Migracion për Zhvillim” (PME) dhe Qendra Gjermane e Informacionit për Migracion, Arsim Profesional dhe Karrierë (DIMAK) zbatohen nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH. Në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë, DIMAK u ofron klientëve një larmi të gjerë këshillimi dhe mbështetjeje mbi shërbimet dhe masat ekzistuese për riintegrimin ekonomik dhe social të tyre, si dhe për mundësitë e kualifikimit në Shqipëri. Që nga përmbledhjet e shkurtra përpara nisjes së kthimit, e deri te rinisja me sukses e jetës në Shqipëri, nisma për të kthyerit fokusohet në këshillimin individual të tyre. Për të siguruar që personat e interesuar të kenë akses në informacionin e duhur teksa janë ende në Gjermani, GIZ po bashkëpunon ngushtë me qytetet dhe bashkitë e tyre. Ai mbështet shërbimet ekzistuese të këshillimit që ofrohen për të kthyerit nëpërmjet agjencive të bamirësisë dhe mirëqenies sociale, si dhe trajnim dhe orientim profesional në Shqipëri.